Ministër Shteti për Sipërmarrjen dhe Klimën e Biznesit

Ministrja e Shtetit për Sipërmarrjen dhe Klimën e Biznesit, Delina Ibrahimaj zhvilloi sot një takim të hapur me përfaqësues të shoqatave të biznesit në vend me qëllim identifikimin e gjitha hallkave burokratike dhe ngarkesave në procedurat administrative që mund të eliminohen dhe përmirësojnë më tej klimën e biznesit.

Në takim “De rregullimi dhe klima e biznesit”, ishte i pranishëm edhe Kryeministri Edi Rama, i cili deklaroi se heqja e barrierave dhe hapja e sa më shumë kanaleve të frymëmarrjes së organizmit të shoqërisë sot që lidh bashkë biznesin me shtetin si dy palë që duhet të ndërveprojnë me njëra-tjetrën në funksion të interesit privat dhe publik është një domosdoshmëri e vazhdueshme

Takimi çeli një proces diskutimi dhe ndërveprimi me sipërmarrjen, mbi nismën e qeverisë për të lehtësuar shërbimet për biznesin, në kuadër të hapave të rëndësishëm që qeveria do të ndërmarrë, për përmirësimin e mëtejshëm të klimës së biznesit.

Ministrja Delina Ibrahimaj, në fjalën e saj, theksoi se megjithëse është ecur përpara mbi bazën e reformës së derregullimit të bërë para pak vitesh, është koha për të riparë të gjithë proceset dhe për të bërë një lehtësim tjetër.

“Shumë prej dokumentacioneve të kërkuara nga institucionet shtetërore që lidhen me ofrimin e shërbimeve, licencave apo autorizimeve, tashmë mund të konsiderohen pak të tepruara, pasi duke qenë se kemi ngritur të gjithë regjistrat elektronikë, ne mendojmë se një pjesë e madhe e dokumenteve janë tashmë nëpër institucione shtetërore dhe është e panevojshme që bizneset të ngarkojnë këto dokumente”, deklaroi ministrja Ibrahimaj.

Ministrja Ibrahimaj bëri të ditur se ka nisur një proces riinxhinierimi i shërbimeve, ku një pjesë e madhe e institucioneve publike, rreth 64 institucione, kanë riparë të gjitha shërbimet që ofrojnë bizneset dhe janë munduar të lehtësojnë këto shërbime.

“Ndërkohë, duam që të kemi një angazhim më të madh nga shoqatat e biznesit, nga ju, me qëllim që për këtë riinxhinierim të merret vendimi juaj dhe të dalim në një rezultat ku afatet të shkurtohen, procedurat të qartësohen dhe lehtësohen, pra të bëjmë të mundur që klima e biznesit të përmirësohet”, iu drejtua ministrja Ibrahimaj biznesit.

Ministrja Ibrahimaj shrehu bindjen se duke ndërmarrë këtë proces, do të ketë më shumë eficencë, më shumë biznese të regjistruara, më shumë lehtësi në të bërit biznes, do të ketë më pak korrupsion dhe do të ketë një klimë të përmirësuar të biznesit.

“kemi krijuar një pyetësor që do të shpërndahet sot, i cili do të marrë mendimin tuaj mbi të gjitha shërbimet që ofrohen nga institucionet. Në vijim të plotësimit të pyetësorit, duam të krijojmë grupet teknike me të gjithë nënsektorët e ekonomisë, ku të mund të diskutojmë si për derregullimin, si për të tjerë elementë që shqetësojnë biznesin”, bëri të ditur Minsitrja Ibrahimaj.

Më poshtë fjala e plotë e ministres:

I nderuar Zoti Kryeministër, të nderuar pjesëmarrës dhe përfaqësues të të gjitha shoqatave të biznesit në Shqipëri, shqiptar dhe të huaj, ju falenderoj që jeni bërë pjesë e këtij takimi, në të cilin duam të diskutojmë në një tryezë të hapur mbi derregullimin dhe përmirësimin e klimës së biznesit.

Prej vitesh në fakt, qeveria shqiptare është angazhuar në lehtësimin e klimës së biznesit, në drejtim të dixhitalizimit të shërbimeve, ku mund të përmend të gjitha dritaret unike: e-Albania; e-Prokurime; e-Tatime, apo portalin elektronik të Qendrës kombëtare të Biznesit (QKB), të cilat kanë ndikuar në të gjithë kohën e të bërit biznes dhe angazhimit që çdo biznes i Shqipërisë ka me institucionet shtetërore.

Megjithatë me gjithë reformat e ndërmarra ndër vite, ndonëse u iniciua një proces derregullimi, është shfaqur tendenca e rirregullimit.

Ne, sot kemi një numër të madh licencash që lëshohen nga Qendra Kombëtare e Biznesit (QKB). Janë rreth 112 licenca dhe janë 1300 kërkesa në vit që miratohen për dhënien e licencave.

Shumë prej dokumentacioneve të kërkuara nga institucionet shtetërore, jo vetëm në QKB, por edhe në ofrimin e shërbimeve të tjera që nuk lidhen me licenca, por lidhen me autorizime, tashmë mund të konsiderohen pak të tepruara, pasi duke qenë se kemi ngritur të gjithë regjistrat elektronikë, ne mendojmë se një pjesë e madhe e dokumenteve janë tashmë nëpër institucione shtetërore dhe është e panevojshme që bizneset të ngarkojnë këto dokumente.

Ne kemi nisur një proces të riinxhinierimit të shërbimeve ku një pjesë e madhe e institucioneve publike, janë rreth 64 institucione kanë riparë të gjitha shërbimet që ofrojnë bizneset dhe janë munduar të lehtësojnë këto shërbime. Ndërkohë, duam që të kemi një angazhim më të madh nga shoqatat e biznesit, nga ju, me qëllim që për këtë riinxhinierim të merret vendimi juaj dhe të dalim në një rezultat ku afatet të shkurtohen, procedurat të qartësohen dhe lehtësohen, pra të bëjmë të mundur që klima e biznesit të përmirësohet.

Ne kemi filluar me ofrimin e Pasaportave të Shërbimeve dhe lehtësimin e tyre, ndërkohë që kemi krijuar një pyetësor që do të shpërndahet sot, i cili do të marrë mendimin tuaj mbi të gjitha shërbimet që ofrohen nga institucionet. Në vijim të plotësimit të pyetësorit, duam të krijojmë grupet teknike me të gjithë nënsektorët e ekonomisë, ku të mund të diskutojmë si për derregullimin, si për të tjerë elementë që shqetësojnë biznesin.

Dhe këtu, mund të përmend elementë që sigurisht ju shqetësojnë të gjithë ju, si punësimin dhe aftësimin, reduktimin e informalitetit, aksesin në finance, por edhe të gjitha problematikat që ju keni, në të cilat ne mund të ndërhyjmë me qëllim që klima e biznesit në Shqipëri të lehtësohet.

Unë do të marr një shembull të procesit të derregullimit që ne kemi filluar dhe është pikërisht Ministria e Turizmit dhe Mjedisit, e cila e ka ndërmarrë tashmë këtë proces dhe në të gjitha lejet dhe licencat, shërbimet dhe autorizimet që lëshon, ajo ka propozuar reduktimin e kohës së lëshimit të këtyre licencave me 50 %, por ndërkohë ka reduktuar edhe të gjithë dokumentacionin që kërkohet.

Nëse do të marrë një shembull, mund të marr shërbimin e Vlerësimit të Ndikimit në Mjedis (VNM), të cilat dikur merrnin 60 ditë kohë, ndërkohë që afati për lëshimin e VNM-ve, tashmë do të jetë 30 ditë dhe nëse më parë kërkoheshin 17 dokumente, sot do të kërkohen 8 dokumente.

Si ky shërbim do të analizohen të gjitha shërbimet, të cilat do të bëjnë të mundur që ju të kryeni shërbimet tuaja në një kohë shumë më të shkurtër.

Ne jemi të bindur se duke ndërmarrë këtë proces, do të ketë më shumë eficencë, më shumë biznese të regjistruara, më shumë lehtësi në të bërit biznes, do të ketë më pak korrupsion dhe do të ketë një klimë të përmirësuar të biznesit.