Ministër Shteti për Sipërmarrjen dhe Klimën e Biznesit

Percepimi nuk është realiteti!

Në një rast studimor 5 njerëzve të verbër u kërkohet që duke prekur një elefant të cilin e përjetojnë për herë të parë të përshkruajnë çfarë janë duke prekur. Ato nuk e dijnë çfarë është elefanti dhe mund të prekin vetëm një pjesë. Kështu ato fillojnë të prekin sejcili pjesë të ndryshme, dikush prek bishtin, dikush veshin, dikush hundën, një tjetër këmbën e i fundit shpinën. Të pestë personat japin përkufizime të ndryshme për çfarë po prekin. Sigurisht askush nuk e gjen që flitet për elefantin, dhe kjo ndodh sepse ato kanë një kornizë të kufizuar informacioni.

Sot, njerëzit vendosin të besojnë që realiteti është ai që ato perceptojnë brenda kornizës së informacionit që lexojnë, dëgjojnë apo edhe prekin.

Perceptimi i sejcilit prej tyre është realiteti i tyre por sigurisht nuk është realiteti që shikohet kur bën një hap mbrapa dhe sheh, dëgjon e lexon më shumë.

 

Sot ne NUK jemi mbledhur për të ndryshuar perceptimin e askujt. Jemi mbledhur për të folur për realitetin. Realiteti është se pavarësisht çfarë sytë e televizioneve, raportet e shqiptarëve të veshur me kostume të huaja apo grupet e interesit të palëve që përfaqësojnë interesa të caktuara, ne po bëjmë progres në luftën kundër korrupsionit.

Nuk gënjëjmë as veten, as njëri-tjetrin as shqiptarët duke thënë që ska korrupsion në Shqipëri, sepse ka, në disa sektorë e në disa hallka.

Ajo çfarë zgjedhim të bëjmë, edhe sot nëpërmjet këtij raporti është të tregojmë qëndrimin tonë si qeveri ndaj korrupsionit dhe të prezantojmë këtu para jush dhe para të gjithë shqiptarëve çfarë është bërë e çfarë mbetet për tu bërë akoma.

Në këtë mandat kemi kryefjalë digjitalizimin jo si qëllim në vetvete, por si mjet për të fituar këtë betejë duke thjeshtuar jetën e qytetarëve në marrjen e shërbimeve publike çdo ditë pavarësisht vendodhjes, moshës apo sektorit.

Pak vite më parë ishin të paktë ata që besonin te Revolucioni Digjital dhe shumë të tjerë, përfshirë mua skeptikë. Pavarësisht sfidave dhe vështirësive me të cilat u përball Qeveria dhe mbarë Shqipëria, përpjekjet në vitet e fundit u përqendruan në ofrimin e gjerë të sistemeve elektronike për të lehtësuar përpunimin, transmetimin dhe shkëmbimin e informacionit në sektorin publik.

Me iniciativë të Kryeministrit, nisi puna e Grupit Ndërinsitucional, kryesuar nga Ministri i Shtetit për Mbrojtjen e Sipërmarrjes, si dhe e Grupit Teknik Ndërinstitucional i kryesuar nga Drejtori i Përgjithshëm i strukturës përgjegjëse kundër korrupsionit pranë Ministrisë së Drejtësisë. Kontribues në këtë raport janë një sërë insititucionesh të cilët gjatë këtij tre ditëshi do të paraqesin më mënyrë sektoriale impaktin e digjitalizimit.

Raporti kombëtar antikorrupsion parashikohet të publikohet çdo vit duke i ofruar kështu publikut informacion zyrtar, transparent dhe lehtësisht të verifikueshëm. Studjuesit, organizatat dhe kryesorja qytetarët që dëshirojnë të bëjnë një hap mbrapa e të shohim nga një kornizë më e gjerë  – tashmë munden.

Ky raport i parë konsiston në analizën e digjitalizimit të sistemeve në sektorin publik. Përgjatë vitit 2021 rreth 95% e shërbimeve publike mund të aksesoheshin online nga individët dhe bizneset.

Sipas raportit të OECD\SIGMA të marsit 2022, Shqipëria u rendit e para ndër vendet e Ballkanit Perëndimor, për sa i përket transformimit digjital, ofrimit të shërbimeve publike administrative si dhe mirëqeverisjes së vendit.

Sektori financiar është transformuar falë digjitalizimit. Lehtësimi i biznesit ka nisur që prej fillimit të vitit 2015, me automatizimin e proceseve informatike që më parë kryheshin manualisht nga inspektorët tatimor. Tashmë është vetë biznesi që i bën ato në sistem nga zyra e tij apo nëpërmjet portalit e-albania, duke shmangur tërësisht nevojën për tu paraqitur në sportelet shtetërore për vërtetime apo dokumenta, duke reduktuar kohën, kostot e biznesit dhe duke eleminuar mundësinë për korrupsion nga kontakti fizik.

Viti 2021 solli reformën madhore të “Fiskalizimit” i cili synon digjitalizimin e sistemit të faturimit duke mundësuar monitorimin e transaksioneve nga zyra dhe jo më në terren, duke rritur transparencën dhe llogaridhënien.

Sistemi doganor gjithashtu ka patur një qasje tejet pozitive ndaj digjitalizimit, operatorët ekonomik deri ne fund të vitit 2021 përfitonin 34 nga 41 shërbime doganore në mënyrë elektronike dhe në datë 30 mars u mundësua edhe futja e 4 shërbimeve te reja online.

Për sa i përket sektorit të Prokurimit publik, ky sektor funksionon vetëm nëpërmjet sistemit të Prokurimeve Elektronike SPE, duke i dhënë akses çdo pale të interesuar pa pagesë dhe në çdo kohë që në mënyrë transparente të bëjnë gjurmimin e procedurave të prokurimit. Kalimi nga dorëzim zarfash në dorë në sistem elektronik sigurisht që solli uljen e rasteve të abuzimit.

Si hallkë e fundit për të mbyllur ciklin e një shërbimi tërësisht online, Komisioni i Prokurimit Publik digjitalizoi edhe sistemin e manaxhimit të ankesave (e-Ankesat), i cili është plotësisht në funksion që nga tetori 2021.

Kemi prekur me revolucionin digjital çdo sektor kyç por titulli ‘Histori suksesi në digjitalizim’ i takon Drejtorisë së Përgjithshme e Shërbimeve të Transportit Rrugor, e cili nga 4 shërbime on-line të ofruara në vitin 2018, sot ofron 77 shërbime online për qytetarët dhe subjektet. Nuk është ende mjaftueshëm larg në kujtesë kaosi në këtë institucion ku gjasat për të mbaruar punë pa paguar dikë nëndorë ishin të vakëta. Nuk e kemi harruar ende kohën e humbur në rradha që më shumë i ngjanin mitingjeve por kjo kujtesë na shërben për të bërë krahasimin dhe ecur përpara me bindje absolute që digjitalimi është e vetmja rrugë.

Vetëm në vitin 2021 nga kjo drejtori kanë marrë shërbim nëpërmjet portalit e-Albania më shumë se 1 milion e gjysëm qytetarë dhe biznese. Ky revolucion digjital, për vitin 2021 krahasuar me vitin 2018, u ka kursyer qytetarëve 16.2 milionë Euro dhe mesatarisht 687,000 km rrugë, 48,090 litra karburant dhe 1,145 ditë pune.

Ne kemi përqafuar plotësisht detyrën për ndërtimin e institucioneve demokratike, forcimin e shtetit të së drejtës dhe ndërtimin e një administrate shtetërore të pacenuar nga korrupsioni. Kjo është Shqipëria e sotme dhe vizioni për vitin 2029.

Ky raport është për kë don me pa, kush nuk don vazhdon të përshkruajë bishtin, veshin, hundën, këmbën dhe shpinën e elefantit.

Faleminderit,