Automotive Fair Albania 2022/ Fjala e Ministres Edona Bilali
Postuar më : 17/06/2022

Automotive Fair Albania 2022/ Fjala e Ministres Edona Bilali gjatë ceremonise së hapjes

Automotive Fair Albania 2022/ Fjala e Ministres Edona Bilali gjatë ceremonise së hapjes

Të nderuar miq,

Mirë se vini në takimin e shumëpritur të industrisë automotive.

Kam kënaqësinë që pas gjashtë muajsh, iniciativa e Kryeministrit pas vizitës që realizuam në Shtetet e Bashkuar të Amerikës dedikuar sektorit, sot konkretizohet.

Këtu, sonte nis shkëmbimi i eksperiencave mes të gjithë aktorëve të industrisë, rrjetëzimi, por dhe bashkëpunime të reja, kombëtare e ndërkombëtare. Mundësi që nuk mbarojnë brenda stendave të ekspozimit, por shtrihen më gjerë edhe në hapësira të veçanta të dedikuar secilit prej jush të pranishëm sonte e në ditët në vijim.

Automotive Fair Albania është edicioni i parë i një panairi të kësaj natyre e përmase në Shqipëri, dhe vjen si bashkëpunim mes Ministrit të Shtetit për Mbrojtjen e Sipërmarrjes me Drejtorinë e Përgjithshme të Shërbimeve të Transportit Rrugor dhe Ministrinë e Infrastrukturës dhe Energjisë dhe do të shërbejë si një urë ndërlidhëse për mundësi të reja investimi në këtë industri.

I kemi dhënë përmasa rajonale pasi ‘Open Balkans’ është një mundësi fantastike sesi mund të maksimizojmë ofertën e Ballkanit para Europës dhe gjithë botës. Gjej rastin të falenderoj kompanitë nga Maqedonia e Veriut dhe Kosova të cilët i janë bashkuar iniciativës. Ashtu sikurse kemi të ftuar dhe folës nga Italia, Amerika, Franca, Spanja etj

Vetëm sektori i prodhimit brenda industrisë automotive në vend punëson më shumë se 3000 persona dhe gjeneron jo vetëm të ardhura në vend por edhe shkëmbim know-how me vendet nga të cilat vijnë investitorët e sektorit si Gjermania, Korea, Japonia, Italia, Franca etj

Këtu me ne janë rreth 50 pjesëmarrës, prodhues pjesësh automotive, koncesionarë të mjeteve green dhe elektrike, sipërmarrës të rinj, prodhues aksesorësh, inovatorë,  si dhe aplikacione mobile për makina, aksesorë audio, video, etj.

Ky panair është për të gjithë ndaj ju ftojmë ta vizitoni në dy ditët në vijim duke nisur nga pasionantët e mjeteve historike RETRO, targat suvernir, muzeu i pasionit automotiv si dhe sektori i artizanëve. Hapësira të tjera do të jenë në funksion të promovimit të sigurisë rrugore, që përfshin edukimin për fëmijët dhe të rinjtë. Çfarë nuk do ti mungonte këtij panairi janë shkolla profesionale dhe Universitetet  si burimi i aseteve njerëzore për këtë industri. Trekëndëshi plotësohet edhe me institucionet publike në shërbim të kësaj industrie.

Është konceptuar 3 ditë pasi industria ka shumë për të treguar. Dy ditët në vijim kanë një kalendar të ngjeshur me workshop-e dedikuar startupeve dhe inovacionit, Dita e Karrierës, Siguria Rrugore, Pasioni Retro, Automotopark Albania, Transporti publik dhe Lëvizshmëria e Gjelbër.

Së fundmi Automotive Fair Albania është një mundësi unike dhe shumë e pritur nga entuziastët e dy dhe katër rrotave, për të parë nga afër pilotë amatorë dhe profesionistë të disiplinave të ndryshme, pa lenë mënjanë argëtimin dhe shumë aktivitete motor-sport.

Ju faleminderit që jeni këtu së bashku me ne për të ndarë këtë fundjavë!