Business Angels Investment Forum 2020 / Shalsi: Shumë shpejt do të jetë gati projektligji për start-up-et -
Postuar më : 22/02/2020

Business Angels Investment Forum 2020 / Shalsi: Shumë shpejt do të jetë gati projektligji për start-up-et

 

 

Ministri i Shtetit për Mbrojtjen e Sipërmarrjes, z. Eduard Shalsi mori pjesë në aktivitetin e “World Business Angels Investment Forum 2020” që u zhvillua në Stamboll, Turqi, ku Shqipëria u përshëndet për klimën e biznesit dhe u inkurajua për përpjekjet serioze referuar kuadrit të ri ligjor dhe politikave për rritjen dhe fuqizimin e start-up-eve.

Në këtë event ishin të pranishëm sipërmarrës, investiorë dhe politikanë nga vende të ndryshme të botës.

Gjatë fjalës së tij, Ministri Shalsi u përqëndrua tek klima e investimeve në Shqipëri dhe nevoja për krijimin e bazës ligjore në sferën e sipërmarrjeve të reja.

“Jemi fokusuar në krijimin e një klime të qëndrueshme për investimet e huaja në përgjithësi, ku politikat kryesore përfshijnë stabilitetin makroekonomik dhe mbajtjen e një rritje të qëndrueshme ekonomike, lehtësimin e procedurave doganore, si edhe problematikat e pronësisë që shfaqin kompanitë me administratorë të huaj”, tha Ministri Shalsi.

Përsa i përket sipërmarrjeve të reja inovative, Ministri Shalsi u shpreh se po punohet për hartimin e ligjit i cili do të plotësojë hendekun që ka ekzistuar për transformimin e ideve inovatore në biznese fitimprurëse.

“Së bashku me projektin e EU for Inovation po realizojmë një komunikim të vazhdueshëm me universitetet, bizneset dhe organet qeveritare duke informuar të rinjtë mbi kërkesat e tregut për inovacion. Ne kemi një rini të arsimuar dhe të etur për t’u përfshirë në inovacion. Ju ftoj të gjithëve të vizitoni Shqipërinë pasi do të gjeni të rinj me ide dhe projekte interesante për të investuar”, përfundoi Ministri Shalsi.

World Business Angels Investment Forum është një organizatë ndërkombëtare që ka në fokus tematikën lidhur me format dhe mundësitë e financimit për të filluar apo zhvilluar me tej një biznes me qëllim gjenerimin e sa më shumë vendeve të reja të punës dhe për më shumë drejtësi sociale në të gjithë botën.