Minister of State for Entrepreneurship and Business Climate

Tiranë, 03 Shtator 2024 “Sot dua të flas për një hap të rëndësishëm në modernizimin e shërbimeve publike dhe përmirësimin e klimës së biznesit në vendin tonë: reformën e inspektimeve dhe projektligjin e ri që do të prezantojmë në parlament në seancën e radhës.

Ky projektligj vjen si një përditësim i nevojshëm i ligjit ekzistues të vitit 2011, duke reflektuar zhvillimet e fundit ekonomike dhe standardet ndërkombëtare.

Në një botë ku zhvillimi i sipërmarrjes dhe shërbimeve publike po ecën me ritme të shpejta, është e domosdoshme që edhe sistemi i inspektimeve të jetë në përputhje me këto ndryshime.

Projektligji i ri adreson disa nga problematikat kryesore që janë shfaqur gjatë viteve të fundit, si mungesa e koordinimit ndërmjet inspektorateve, mbivendosja e inspektimeve, dhe mungesa e një procesi të qartë dhe të drejtë ankimimi.

Objektivi kryesor i kësaj reforme është mbrojtja e qytetarëve dhe bizneseve, duke siguruar produkte më të sigurta, një mjedis më të pastër dhe kushte më të mira pune.

Ne synojmë të krijojmë një sistem inspektimi që fokusohet tek parandalimi dhe këshillimi i subjekteve, duke reduktuar në të njëjtën kohë barrën e inspektimeve të shumta dhe të panevojshme.

Projektligji sjell të reja të rëndësishme, si përqendrimi i inspektimeve mbi bazën e vlerësimit të riskut dhe krijimi i një procesi të pavarur dhe transparent për shqyrtimin e ankesave.

Këto masa synojnë të përmirësojnë profesionalizmin dhe efikasitetin e trupës së inspektimit dhe mbi të gjitha, të forcojmë besimin e qytetarëve dhe bizneseve tek ky proces.

Besoj fort, si ministre në drejtim të grupit të punës për jetëzimin e kësaj reforme, që ky projektligj kontribon thelbësisht në krijimin e një mjedisi më të drejtë dhe të besueshëm për të gjithë, duke mbështetur sipërmarrjen dhe përmirësuar cilësinë e jetës për qytetarët.”