Minister of State for Entrepreneurship and Business Climate

Tiranë, 11 Shtator 2024 – Ministria e Shtetit për Sipërmarrjen dhe Klimën e Biznesit prezantoi 22 mentorët që do të ndajnë ekspertizën dhe përvojën e tyre me startup-et shqiptare, duke hapur rrugën për inovacion, zhvillim dhe rritje të kapaciteteve përmes praktikave dhe njohurive të avancuara.

“20 prej këtyre mentorëve janë ndër mendjet më të ndritura shqiptare në botë, që vijnë nga qendra të zhvillimit teknologjik dhe inovativ si Silicon Valley, New York, Parisi, Londra dhe Danimarka. Ata janë profesorë në universitete prestigjioze, drejtues në korporata globale dhe themelues të ideve të suksesshme të biznesit. Të gjithë janë të përkushtuar për të kontribuar në zhvillimin e sipërmarrjes shqiptare dhe për ta orientuar drejt suksesit ndërkombëtar,” deklaroi ministrja Ibrahimaj.

Kjo nismë synon të sjellë përvojat më të mira ndërkombëtare dhe t’i përshtatë ato për nevojat dhe sfidat që hasin startup-et shqiptare. Këta mentorë do të ofrojnë trajnime dhe udhëzime të drejtpërdrejta për zhvillimin e biznesit, rritjen e aftësive menaxheriale dhe adoptimin e teknologjive të reja.

Për të shprehur interesin tuaj për këtë program mentorimi, ju lutemi të na kontaktoni në info@startupalbania.gov.al.

Ministria e Shtetit për Sipërmarrjen dhe Klimën e Biznesit mbetet e angazhuar për të mbështetur startup-et shqiptare në përpjekjet e tyre për të arritur suksesin ndërkombëtar.