Minister of State for Entrepreneurship and Business Climate

Ministri i Shtetit për Mbrojtjen e Sipermarrjes, z. Eduard Shalsi mori pjesë në takimin e organizuar nga Delegacioni Evropian në Shqipëri me mbështetjen e projektit “BE për Inovacion”,  ku u prezantua Këshilli Evropian i Inovacionit që synon të forcojë ekosistemin e inovacionit, të promovojë dhe të nxisë krijimin e start- up- eve në vendin tonë.

Ministri Shalsi theksoi nevojën e kuadrit ligjor, ku në bashkëpunim më Ministrinë e Financave dhe Ekonomisë, si dhe projektin “BE për Inovacion” ka filluar përgatitja e projektligjit që do të shërbejë si bazë për krijimin e politikave dhe instrumenteve mbështetëse për sipërmarrjet e reja.

“Fillesat e ekosistemit të sipërmarrjes janë ende në faza të hershme. Megjithatë, vlen të përmenden se disa institucione si AIDA, Qendra e Inovacionit, PROTIK dhe Betahouse  kanë ndihmuar në nxitjen e inovacionit dhe konkurrencës. Ne po përqëndrohemi në bashkërendimin e politikave nga institucione të ndryshme, sepse shpesh sipërmarësit nuk janë të vetëdijshëm për të gjitha skemat e ofruara nga institucionet publike”, u shpreh Ministri Shalsi.

“Vazhdojmë të ndeshemi edhe me një sërë çështjesh të tjera duke përfshirë qasjen në fonde, skemën e kapitalit, forcimin e mikrokredive dhe  personelin e kualifikuar për të përmbushur profilin e sipërmarrësit, gjë që e presim nga kurrikulat universitare që përfshijnë fushën e inovacionit dhe teknologjisë”, përfundoi Ministri Shalsi.

Këshilli Evropian i Inovacionit ka si qëllim të jetë një one – stop shop për inovatorët, që me anë të ideve të tyre të ndryshojnë paradigmat e funksionimit tradicional. Gjithashtu, ofron fonde për rritjen dhe zhvillimin e tyre, por edhe mbështetje me mentorë dhe ekspertë të fushës.{:}