Minister of State for Entrepreneurship and Business Climate

Në mbështetje të nenit 14, pika 6 të Ligjit nr. 25/2022 “Për mbështetjen dhe Zhvillimin e Startup-eve”, i ndryshuar, të pikës 14, Kreu V, të Vendimit të Këshillit të Ministrave nr. 61, datë 7.2.2024 “Për miratimin e kërkesave e të kritereve që duhet të plotësojnë start up-et dhe lehtësuesit e startup-eve, të procedurave e të afateve, si dhe të rregullave për përbërjen e komisionit të vlerësimit dhe ankimit, kritereve, procedurës së përzgjedhjes e të shpërblimit të anëtarëve të tyre, shpallen projektet fituese të mbështetjes me grante nga qeveria shqiptare.

Pas një procesi të kujdesshëm dhe të detajuar të vlerësimit të 422 aplikimeve të mbërritura nga të gjitha qytetet e vendit, janë përzgjidhedhur startup-et që do të sigurojnë financimin nëpërmjet skemës Grant2025, për të realizuar projektin e tyre inovativ. Ky grant, me një fond total prej 300 milionë lekësh, përfaqëson një nga nismat më të fuqishme të akorduara nga qeveria shqiptare në mbështetjen dhe zhvillimit e startup-eve dhe inovacionit në vend. Thirrja e mbështetjes, e cila u hap më 2 Dhjetor 2024 dhe u mbyll me datë 5 Janar 2025, është shprehje e përpjekjeve të qeverisë Shqiptare për të rritur mundësitë për sipërmarrësit dhe për të kontribuar në zhvillimin ekonomik të vendit.

Fituesit e përzgjedhur do të përfitojnë nga financimi në tre faza të ndryshme të zhvillimit të tyre. Faza e parë e financimit është projektuar për mbështetjen e individëve në fazë ideje ku janë përzgjedhur 19 startup-e, të cilët sigurojnë deri në 1.5 milionë lekë për ta realizuar dhe për të krijuar një bazë të qëndrueshme për sipërmarrjen e tyre. Për fazën e dytë janë përzgjedhur 43 startupe fituese që tashmë kanë një produkt apo shërbim dhe kanë krijuar një prototip. Përfituesit e kësaj faze sigurojnë deri në 4.5 milionë lekë për të avancuar zhvillimin e biznesit të tyre dhe për të gjetur klientë të mundshëm në treg. Në fazën e tretë janë përzgjedhur 21 startup-e fituese, të cilët ofrojnë një produkt në treg dhe me mbështetjen e siguruar nga Grant2025 do të zgjerojnë aktivitetet e tyre në tregje të reja. Startup-et ne këtë faze do të përfitojnë deri në 9 milionë lekë për të rritur dhe zhvilluar biznesin e tyre.

Projekti mbulon një gamë të gjerë sektorësh strategjikë:

• 22 në sektorin e Teknologjisë së Informacionit
• 10 në Shërbime Biznesi
• 9 në Turizëm
• 8 në Teknologji në Edukim
• 7 në Prodhim
• 6 në Teknologji në Shëndetësi
• 5 në Inteligjencë Artificiale dhe Tregti Elektronike
• 4 në Marketing dhe Media
• 2 në Energji dhe Mjedis
• 1 për secilin: Siguri Kibernetike, Logjistikë, Teknologji në Sport

Ju uroj shumë suksese në zbatimin e projekteve tuaja dhe jemi të bindur se kontributi juaj do të ketë një ndikim të rëndësishëm në zhvillimin e ekosistemit inovativ dhe sipërmarrës në Shqipëri.