Forumi Shqipëri – Kroaci /Bashkëpunim për heqjen e barrierave administrative - Ministër Shteti për Mbrojtjen e Sipërmarrjes
Postuar më: 23/07/2019

Forumi Shqipëri – Kroaci /Bashkëpunim për heqjen e barrierave administrative

Ministri i Shtetit për Mbrojtjen e Sipërmarrjes, z. Eduard Shalsi mori pjesë në Forumin e Biznesit Shqipëri-Kroaci organizuar nga Dhoma e Tregtisë dhe Industrisë Tiranë me në fokus  shqyrtimin e mundësive dhe lehtësimin e barrierave të marrëdhënieve ekonomike midis dy vendeve.

“Kënaqësi që marr pjesë në këtë forum i cili është dëshmi e një tradite për të ushqyer ndjenja miqësore, por edhe për të çuar bashkëpunimin ekonomik midis dy vendeve në një tjetër nivel. Klima e investimeve në biznes ka patur një rritje të kënaqshme por duhet bërë akoma edhe më shumë. I kemi vendosur vetes objektiva të qarta për mbështetjen e çdo iniciative nga ana e bizneseve” , u shpreh Ministri Shalsi.

Njëkohësisht Ministri Shalsi theksoi potencialin e marrëdhënieve ekonomike mes dy vendeve dhe përpjekjet e vazhdueshme nëpërmjet reformave për mbrojtjen e investitorëve.

“Rrugëtimi kroat drejt Bashkimit Evropian është një eksperiencë për tu ndjekur dhe studiuar.  I shprehim mirënjohjen Kroacisë për mbështetjen e vazhdueshme që i ka dhënë Shqipërisë” , përfundoi Ministri Shalsi.

Në këtë forum morën pjesë edhe Ministrja e Financave dhe Ekonomisë, znj. Anila Denaj, Ministri i Ekonomisë së Kroacisë, z. Darko Horvat, si dhe përfaqësues nga bizneset shqiptare dhe kroate.