Këshilli i Ministrave kalon Projektligjin për Startup-et/ Ministrja Bilali shpje
Postuar më : 20/12/2021

Këshilli i Ministrave kalon Projektligjin për Startup-et/ Ministrja Bilali shpjegon procedurën që duhet të ndiqet për regjistrimin e startup-eve

Ditën e sotme, Ministrja e Shtetit për Mbrojtjen e Sipërmarrjes, znj. Edona Bilali, bëri të ditur se në Mbledhjen e Këshillit të Ministrave u kalua Projektligji për Startup-et.

Gjatë fjalës së saj, Ministrja shpjegoi se tashmë të gjithë personat fizikë apo juridikë, brenda apo jashtë Shqipërisë, që dëshirojnë të promovojnë idenë e tyre të biznesit, mund të vetëdeklarohen nëpërmjet platformës e-Albania si startup-e. Më pas, ajo tregoi të gjithë procedurën, kur tha:

“Do ketë një Regjistër të Posaçëm për startup-et dhe një regjistër të dytë për lehtësuesit. Lehtësuesit janë institucione që ofrojnë shërbime në shërbim të startup-eve, siç janë përshpejtuesit, inkubatorët, universitetet etj.

Nga momenti i regjistrimit në regjistër, startup-et do të kenë një periudhë 24-mujore, që sipas ligjit quhet periudha e inkubimit. Gjatë kësaj periudhe, startup-et do mund të marrin këshillim pranë një ‘one stop shop’, i cili do të krijohet pranë Ministrit të Shtetit për Mbrojtjen e Sipërmarrjes”.

Ndër të tjera, znj. Edona Bilali theksoi faktin se të gjitha shërbimet do të jenë pa pagesë dhe online, pa kontakt fizik, “si pjesë e një strategjie më të madhe të qeverisë, siç është digjitalizimi”.

“Ky është hapi i parë dhe më i rëndësishëm, por jo i vetmi. Më vonë do të vijojmë me përkthimin e kërkesave në të gjithë ekosistemin në VKM dhe nënakte të tjera ligjore, që i hapin rrugën financimit të startup-eve. Nga financimi përfitojnë edhe i gjithë ekosistemi, pra lehtësuesit,”- përfundoi znj. Bilali.