Këshilli i Investimeve / Shalsi: Reforma territoriale, një perspektivë e re ndërveprimi me sipërmarrjen - Ministër Shteti për Mbrojtjen e Sipërmarrjes
Postuar më : 25/02/2020

Këshilli i Investimeve / Shalsi: Reforma territoriale, një perspektivë e re ndërveprimi me sipërmarrjen

 

Ministri i Shtetit për Mbrojtjen e Sipërmarrjes, z, Eduard Shalsi mori pjesë në mbledhjen e rradhës të Këshillit të Investimeve ku u trajtuan raportet e biznesit me pushtetin vendor, zhvillimi ekonomik i qytetarëve dhe mirëadministrimi fiskal.

“Jemi në një komunikim të vazhdueshëm dhe efikas me sipërmarrjen dhe institucionet shtetërore. Reforma territoriale ka hapur një perspektivë të re për pushtetin vendor dhe ndërveprimi me sipërmarrjen, çka tregon se është një komponent i rëndësishëm që duhet rritur dhe zhvilluar”, u shpreh Ministri Shalsi.

Diskutimet e pjesëmarrësve në këtë takim u përqendruan në çështje të lidhura me mirëadministrimin fiskal në nivel vendor, taksat dhe tarifat vendore, shërbimet e marra dhe rolin e Bashkive në zhvillimin ekonomik lokal.

Në mbështetje të temës së trajtuar në këtë Mbledhje, Këshilli i Investimeve ka realizuar në vitin 2019 një anketim në të gjithë Shqipërinë për bashkëveprimin  e sipërmarrësve me pushtetin vendor. Sipas madhësisë, 64% e të anketuarve ishin biznese me xhiro me 8 milion lekë, 25% biznese me xhiro 5-8 milion lekë dhe pjesa tjetër ishin biznese me xhiro deri në 5 milion lekë.

Anketimi dhe analiza e Sekretariatit të Këshillit të Investimeve ka vënë në dukje nevojën për një bashkëveprim të shtuar mes aktorëve dhe ka identifikuar instrumentet kryesore të pushtetit vendor për nxitjen e biznesit dhe ndërveprimit.

Rezultatet e anketës kanë identifikuar:

  • nevojën në rritje për marrjen e shërbimeve online nga pushteti vendor,
  • bizneset janë përgjithësisht të informuar mbi legjislacionin fiskal vendor (86% deklarojnë se janë  plotësisht/pjesërisht të  informuar);
  • bizneset janë të  informuar  mbi procedurat tatimore vendore (71% deklarojnë se procedurat tatimore vendore janë të qartë ose shumë  të  qartë).
  • bizneset kanë shprehur gjithashtu pritshmëritë për një rritje të cilësisë së shërbimeve nga Bashkitë dhe pritshmëritë për një përmirësim të raportit kosto/vlerë për shërbimet e marra nga pushteti vendor.
  • analiza ka nxjerrë në pah nevojën për zbatim më të shpejtë të reformës së kadastrës fiskale nga pushteti vendor.
  • bizneset kanë vlerësuar si mundësi për zhvillim asetet vendore dhe Zonat e Zhvillimit Teknologjik dhe Ekonomik, por kanë kërkuar një angazhim më të fortë dhe rol të intensifikuar të pushtetit vendor.