» Ministri Shalsi diskutime me përfaqësues të GIZ për ligjin e ri të startup-eve
Postuar më: 19/04/2019

Ministri Shalsi diskutime me përfaqësues të GIZ për ligjin e ri të startup-eve

Ministri për Mbrojtjen e Sipërmarrjes, z. Eduard Shalsi u takua me përfaqësues të GIZ-it (Deutsche Gesellchaft für Internationale Zusammenarbeit) dhe diskutuan rreth projektit “EU for Innovation” që financohet nga Bashkimi Evropian dhe implementohet nga GIZ për një ligj të ri lidhur me startup-et.

“Shumë i kënaqur që po bashkëpunojmë për një ligj të ri lidhur me startup-et. Sot përcaktuam hapat e procesit dhe me të përgatitur draftin do të jemi të hapur për komente, vërejtje apo sugjerime. Ligji për startup-et është një domosdoshmëri për stadin aktual dhe vizionin e së ardhmes”, u shpreh ministri.

Përfaqësuesit e GIZ thanë se projekti do të ofrojë mbështetje edhe në procesin e hartimit dhe konsultimit të një projektligji specifik për startup-et në Shqipëri.

Projekti “BE për Inovacionin”, financuar nga Bashkimi Evropian dhe zbatuar nga GIZ e Ambasada Suedeze, ka për synim përmirësimin e ekosistemit të inovacionit dhe nxitjen e krijimit të startup-eve (sipërmarrjeve inovative).