Ministër Shteti për Sipërmarrjen dhe Klimën e Biznesit

Fjala e Ministrit të Shtetit për Mbrojtjen e Sipërmarrjes, Eduard Shalsi, në Parlament

Data: 17.10.2019

E nderuar drejtuese e seancës, të nderuar kolegë deputet

Do mundohem të mos i referohem atyre që kisha shkruar, por duke e bërë sa më të thjeshtë idenë, konceptin mbi të cilin lindi Koorporata Shqiptare e Investimeve. Ju e dini shumë mirë se në vitin 2018, një konsorcium turk bëri një propozim në lidhje me aeroportin prej 500 mijë  pasagjerësh në Vlorë, që do t’i shërbente kryesisht, por jo vetëm, jugut të Shqipërisë. Qeveria shqiptare nëpërmjet një ekipi negociatorësh diskutoi dhe nuk u ra dakord për të vijuar me propozimin e konsorciumit turk. Në fakt, ajo që bëhet fjalë është një hapësirë prej 310 mijë hektarësh, e cila do të vendosej në dispozicion të ndërtimit të aeroportit të jugut. Gjatë gjithë këtyre viteve, madje ka dhe disa korrespondenca shumë interesante, nëse do të kishit qenë të kujdesshëm do ti kishit shqyrtuar. Përgjatë së paku 20 viteve të fundit, unë kam patur mundësinë të shoh disa prej tyre, disa propozime të disa firmave shumë prestigjoze, me eksperiencë fantastike, me kapitale që i kërkonin qeverisë shqiptare të hynte në partneritete të ndryshme. Për pronat publike të njohura, të pranuara në Shqipëri, ka patur dy modele: jepeshin me qira ose jepeshin me një tarifë simbolike 1 euro.

Ndërkohë që, shumë letra kanë mbetur pa përgjigje, shumë propozime kanë mbetur pa përgjigje, pikërisht sepse mungonte një mekanizëm që Koorporata Shqiptare e Investimeve ia jep në këtë rast qeverisë shqiptare si një mjet për të negociuar. Për tu rikthyer sërish me shembullin konkret në mënyrë që të jetë sa më e kuptueshme për të gjithë pjesa e Vlorës, janë 310 mijë hectare, një pjesë mund të shërbejë për aeroport dhe ju e dini ne kemi vijuar tashmë, jo me koncept idenë, por me projektin se si do të jetë aeroporti, ndërkohë që aeroporti zë vetëm 1/3 e sipërfaqes. Ajo që po diskutojmë dhe të siguroj për një gjë, në këtë iniciativë ka një grup njerëzish shumë të nderuar, të cilët unë gjej rastin ti falënderoj, janë profesorë të Harvardit, të cilët na kanë mundësuar disa vizita në disa vende për të parë dhe disa modele apo eksperienca të suksesshme.

Korporata e Investimeve Shqiptare, erdhi si një nevojë për t’ju përgjigjur të gjitha atyre kërkesave të pashpjeguara deri këto vite, edhe si pasojë e konsulencës që morëm nga një grup profesorësh të Harvardit, të cilët fare mirë edhe ju nëse do të donit të përdorni instrumenta parlamentarë, mund ti kontaktoni nuk ka ndonjë ide mafioze, nuk ka ndonjë ide kriminale, por ka thjesht një dëshirë që të gjithë ato sfida të paadresuara siç duhet gjatë gjithë kësaj periudhe tranzacioni të marrin përgjigje nëpërmjet një mekanizmi, një instrumenti, i cili bën të mundur një partnership midis publikut dhe privatit. Me shumë të drejtë zoti Shtjefni solli në vëmendje disa objeksione të Bankës Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim, të cilat i citove. Nga ana tjetër, ka një korrespondencë midis BE-së dhe Qeverisë Shqiptare ku jepet përgjigje dhe po, disa vërejtje qëndrojnë, mbi ato vërejtje është reflektuar, pjesa tjetër është shpjeguar nocioni. Kooporata e Investimeve Shqiptare është një SHA, e cila do të themelohet një kapital shtetëror, por e kemi shumë të pastër të shpjeguar në ligj, për çfarë qëllimi do të vlejë dhe do jetë me kontribut të buxhetit të shtetit.

Po i rikthehem prapë për ta bërë sa më të kuptueshme. Përveç aeroportit të Vlorës, ideja është që meqënëse sipërfaqja është shumë më e madhe atëhere ajo zonë të shërbejë, edhe për aktivitete të tjera. Një shembull mund të jetë, për të cilin ka interes, kemi plotësuar kuadrin ligjor siç e dini të energjisë solare dhe mund të jetë një park shumë i leverdisshëm fotovoltaik. Por, përveç kësaj mund të ketë, edhe disa funksione të tjera. Ndaj vetëm muajin e fundit ka një interes në rritje të kompanive, pikërisht për shkak të qasjes ndryshe që po ndiqet. Pra, po flasim për mekanizma, po flasim për instrumente, të cilat aktualisht plotësojnë një vakum, të cilin më përpara nuk e bënin dot të mundur ligjet në fuqi. Prona shtetërore në Shqipëri ka mundësi të zhvillohet, të shfrytëzohet më me efiçencë, më me efikasitet. Tashmë, mbas gjithë këtyre viteve dhe mbas një analize tejet të kujdesshme është arritur në konkluzionin që duhen përmirësuar dhe do të ishte i vlefshëm shumë kontributi, jo vetëm i juaji, por i cilido dhe mos harroni që kemi ardhur në këtë ditë sot pas një debati, edhe brenda nesh, të jashtëzakonshëm. Jemi ndriçuar si asnjëherë më parë, kemi kuptuar ca gjëra akoma edhe më mirë, por iniciativa, ju thashë, është bërë thjesht dhe vetëm për të bërë të mundur disa transaksione që do ta rrisnin dhe do ta maksimizonin. Sigurisht përmende i shqetësuar për pronat e tua, merr mikrofonin, vendos kujën, ke të gjithë të drejtën e Zotit për t’u ankuar pse nuk i ke marrë, por kjo nuk të jep të drejtën që pikërisht në një debat të tillë të deformosh thelbin, i cili këtë synon. Synon pikërisht përmirësimin e menaxhimit të pronës publike, përmirëson krijimin e pronave dhe aseteve të reja.

Ndaj duke mos dashur të zgjatem, unë mendoj që për ne është një ogur i mbarë krijimi i kësaj agjencie, do pasohet nga një numër vendimesh të Këshillit të Ministrave dhe besoj se do të jetë një mekanizëm shumë interesant, shumë tërheqës që më në fund të bëj të mundur që ti japin përgjigje atyre investitorëve serioz, në partneritet me të cilin duhet të zhvillojmë Shqipërinë.

Faleminderit!