Ministër Shteti për Sipërmarrjen dhe Klimën e Biznesit

Punimet në Lotin e parë të Bypass-it të Shkodrës kanë përfunduar, i cili do të shërbejë jo vetëm për qarkullimin e automjeteve, por edhe si një shëtitore për të gjithë qytetarët shkodranë dhe vizitorët e këtij qyteti.

Aksi me gjatësi 4.8 kilometra, është i pajisur me të gjithë elementët urbanë, troturarë, korsi biçikletash, ndriçim dhe gjelbërim, që do të lehtësojnë trafikun dhe lëvizjen brenda qytetit.

Ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku, së bashku me Ministren e Shtetit për Mbrojtjen e Sipërmarrjes, Edona Bilali dhe Drejtorin e Autoritetit Rrugor Shqiptar, Evis Berberi, inspektuan punimet e kryera për këtë vepër.

Ministrja Balluku tha se janë një sërë projektesh të rëndësishme, kryesisht në infrastrukturë që prekin këtë qytet, por edhe zonën përreth duke nxitur më tej zhvillimin ekonomik.

“Për shkak të korridorit Adriatiko-Jonian ne do t’i japim një vëmendje të veçantë edhe pjesës së doganës së Muriqanit. Duke pasur parasysh punën që do të bëhet, përsëri do të ketë ndërhyrje të tjera infrastrukturore, të cilat do ta bëjnë Shkodrën të dalë direkt në atë korridor, duke lënë gjithmonë alternativën e rrugëve ekzistuese,”- tha ajo.

Ministrja Bilali, njëherësh deputete e qarkut Shkodër, tha se kjo është një vepër e shumëpritur nga ana e qytetarëve, pasi ka qenë një kërkesë e tyre e vazhdueshme.

“Premtimi i radhës i mbajtur. Ka qenë një kërkesë afatgjatë e qytetarëve dhe ne deputetët si përfaqësues të tyre e kemi përcjellë këtë kërkesë. Më vjen shumë mirë që kjo Qeveri e dëgjon zërin e qytetarëve, siç është rasti konkret i bypass-it, por edhe lajmet fantastike që ju përmendët për Shkodrën janë kërkesa të qytetarëve dhe bizneseve, të cilët një pjesë e madhe mbahen me turizmin dhe infrastruktura është hapi i parë për zhvillimin e tij,”- u shpreh Bilali.

Ky aks rrugor do t’i shërbejë atyre qytetarëve që lëvizin drejt doganës së Hanit të Hotit apo rrethinave të Malësisë së Madhe, duke shmangur në këtë mënyrë hyrjen në brendësi të qytetit të Shkodrës.{:}