Ministër Shteti për Sipërmarrjen dhe Klimën e Biznesit

Tiranë – Në vijim të angazhimit të qeverisë për forcimin e infrastrukturës financiare dhe përmirësimin e aksesit në financim për sektorët strategjikë të ekonomisë, janë zhvilluar një sërë takimesh konsultative për projektligjin e Bankës Shqiptare të Zhvillimit. Ky institucion i ri do të luajë një rol kyç në financimin e sektorëve strategjikë dhe në lehtësimin e aksesit në kapital për bizneset shqiptare, duke plotësuar boshllëqet në tregun financiar dhe duke ofruar instrumente të reja kreditimi dhe investimi për ata sektorë që kanë hasur vështirësi në sigurimin e financimeve të favorshme.

Për të siguruar një model sa më efikas dhe të qëndrueshëm, janë zhvilluar takime dhe diskutime me përfaqësues të institucioneve financiare, komunitetit të biznesit dhe bankave, të cilët kanë dhënë kontributin e tyre në hartimin e këtij projektligji. Në diskutimet me institucionet financiare kombëtare dhe ndërkombëtare, ekspertët ndanë përvojat e tyre mbi funksionimin e bankave të zhvillimit dhe sfidat që lidhen me financimin e sektorëve nënfinancuar, duke ofruar rekomandime mbi modelet më efektive që mund të përshtaten për Shqipërinë. Po ashtu, përmes konsultimeve me shoqatat e biznesit dhe dhomat e tregtisë, sipërmarrësit shprehën pritshmëritë e tyre për këtë mekanizëm të ri financiar, duke vënë theksin te nevoja për mbështetje të ndërmarrjeve të vogla dhe të mesme, lehtësimin e financimeve për eksportet dhe krijimin e mekanizmave që inkurajojnë inovacionin dhe zhvillimin teknologjik.

Një tjetër aspekt kyç i këtyre diskutimeve ishte edhe marrëdhënia mes Bankës së Zhvillimit dhe sistemit ekzistues bankar. Përfaqësuesit e bankave tregtare dhe institucioneve financiare kombëtare theksuan rëndësinë e një partneriteti efektiv mes këtij institucioni të ri dhe tregut financiar, duke synuar krijimin e mekanizmave të përshtatshëm që mundësojnë financim të qëndrueshëm për projekte strategjike me ndikim të madh ekonomik. Në këtë kontekst, Banka Shqiptare e Zhvillimit pritet të luajë një rol të rëndësishëm në financimin e ndërmarrjeve të vogla dhe të mesme, të cilat përbëjnë një shtyllë themelore të ekonomisë shqiptare dhe shpesh përballen me kufizime të mëdha në kreditim. Përmes skemave të përshtatura financiare, banka do të mundësojë akses më të lehtë në kapital për këto biznese, duke mbështetur zgjerimin dhe rritjen e tyre.

Po ashtu, sektori i bujqësisë dhe agrobiznesit do të përfitojë nga skema të dedikuara kreditimi, të cilat do të ndihmojnë fermerët dhe bizneset e përpunimit bujqësor të modernizojnë operacionet e tyre dhe të rrisin produktivitetin. Në fushën e investimeve në infrastrukturë, Banka e Zhvillimit do të sigurojë mbështetje financiare për projektet e rëndësishme të modernizimit të infrastrukturës fizike dhe dixhitale, të cilat janë të nevojshme për të garantuar një ekonomi konkurruese dhe të qëndrueshme.
Në vijim të këtyre konsultimeve, qeveria do të përpunojë rekomandimet e marra nga ekspertët dhe aktorët e tregut për të finalizuar projektligjin, duke synuar krijimin e një institucioni të besueshëm dhe të qëndrueshëm, që funksionon mbi parimet e transparencës dhe efikasitetit.

Krijimi i Bankës Shqiptare të Zhvillimit është një hap i rëndësishëm për forcimin e sistemit financiar të vendit dhe për përafrimin e Shqipërisë me modelet më të avancuara evropiane, duke i hapur rrugën një ekonomie më të fortë, konkurruese dhe të zhvilluar.