Ministër Shteti për Sipërmarrjen dhe Klimën e Biznesit

Tiranë, 06 mars 2025 – Këshilli i Ministrave ka miratuar projektligjin për krijimin e Bankës Shqiptare të Zhvillimit, një institucion i ri financiar i cili synon të nxisë rritjen e qëndrueshme ekonomike duke rritur financimin për sektorët e nënfinancuar.

Ministrja e Shtetit për Sipërmarrjen dhe Klimën e Biznesit, Delina Ibrahimaj, theksoi se kjo bankë është ndërtuar mbi modelet më të mira evropiane dhe do të mundësojë financim të qëndrueshëm për projekte infrastrukturore dhe digjitale, ndërmarrjet e vogla dhe të mesme (NVM) dhe eksportet shqiptare.

“Ky institucion është krijuar në bazë të eksperiencave më të mira të institucioneve të ngjashme në Bashkimin Evropian dhe konkretisht ka për synim të financojë zhvillimin ë infrastrukturës fizike dhe digjitale, të mbështesë ndërmarrjet e vogla dhe të mesme, të financojë projekte infrastrukturore dhe gjithashtu të financojë dhe të mbështesë eksportet shqiptare,” deklaroi ministrja Ibrahimaj.

Banka Shqiptare e Zhvillimit do të luajë gjithashtu një rol kyç në zgjerimin e aksesit në financë për kategoritë e popullsisë të cilat aktualisht nuk shërbehen nga sektori bankar, veçanërisht në zonat rurale. Në këtë kuadër, banka do të ofrojë produkte kursimi, të cilat do të përdoren për të financuar zhvillimin ekonomik të vendit.

Ky projektligj është hartuar në bashkëpunim të ngushtë me Casa Depositi e Prestiti, një institucion lider në Bashkimin Evropian për financimin e zhvillimit, me rezultate të prekshme në rritjen ekonomike të tregut italian. Gjithashtu, Banka Shqiptare e Zhvillimit synon të bashkëpunojë me institucione financiare ndërkombëtare dhe ato të BE-së, të cilat ofrojnë fonde të dedikuara për zhvillimin ekonomik të vendeve anëtare dhe atyre në procesin e anëtarësimit në BE. Kjo do të mundësojë rritjen e produktivitetit, forcimin e konkurrueshmërisë dhe lehtësimin e aksesit në Tregun e Përbashkët Evropian.