Ministër Shteti për Sipërmarrjen dhe Klimën e Biznesit

Paris, 12 shkurt 2025 – Vera shqiptare po shkëlqen në panairin prestigjioz Wine Paris 2025, ku 20 etiketa premium nga varietetet tona autoktone po prezantojnë potencialin e jashtëzakonshëm të Shqipërisë në këtë industri. Ky prezantim i rëndësishëm po hap dyer të reja për eksport dhe bashkëpunim ndërkombëtar, duke e vendosur verën shqiptare në hartën globale të prodhimit cilësor.

Ministrja e Shtetit për Sipërmarrjen dhe Klimën e Biznesit, Delina Ibrahimaj, vizitoi stendën e Shqipërisë, e mundësuar nga Agjencia Shqiptare e Zhvillimit të Investimeve (AIDA), ku pati mundësinë të takojë përfaqësues të disa prej kantinave më të njohura shqiptare. “Ishte një kënaqësi të diskutoja me Rigersin nga kantina Arbëri, Muharremin nga Çobo dhe Fatbardhin nga Belba, sipërmarrës që me pasionin dhe cilësinë që garantojnë po e çojnë këtë sektor drejt suksesit të merituar,” u shpreh ministrja Ibrahimaj.

Sektori i verës është një motor i rëndësishëm për ekonominë dhe turizmin rural, duke njohur një rritje të jashtëzakonshme në vitet e fundit. Kjo është rezultat i investimeve të vazhdueshme, mbështetjes së qeverisë, zgjerimit të vreshtave dhe përkushtimit të kantinave shqiptare për të sjellë në treg një produkt konkurrues dhe të vlerësuar ndërkombëtarisht.

Pjesëmarrja në panaire të tilla përforcon synimin e Shqipërisë për të promovuar verën si një pasuri kombëtare dhe për të zgjeruar eksportet në tregje të reja, duke e bërë industrinë shqiptare të verës një histori suksesi në rajon dhe më gjerë.