Ministër Shteti për Sipërmarrjen dhe Klimën e Biznesit

Ministrja e Shtetit për Sipërmarrjen dhe Klimën e Biznesit, Delina Ibrahimaj njoftoi këtë të mërkurë pas mbledhjes së Këshillit të Ministrave miratimin e Strategjisë Kombëtare e Zhvillimit të Sipërmarrjes Inovative 2025-2030. Strategjia stimulon rritjen e ekosistemit të startup-eve dhe zhvillimin e të gjitha shtresave të ekosistemit, duke përfshirë nivelin mikro, të mesëm dhe atë makro dhe gjeneron qarqe të virtytshme brenda ekosistemit dhe sektorëve me prioritet ekonomik në vend. Strategjia Kombëtare e Zhvillimit të Sipërmarrjes Inovative hedh themelet për ndryshimin e krijimit të vlerave kombëtare të Shqipërisë, duke trajtuar tre shtylla: Ekosistemi Inovativ Sipërmarrës , Sektorët Strategjik (S3), si dhe Zhvillimi Gjithëpërfshirës.
Ekosistemi i sipërmarrjes startup në Shqipëri po rritet me shpejtësi dhe po shfaq shenja premtuese zhvillimi. Aktorë të ndryshëm të ekosistemit në Shqipëri po kontribuojnë në nxitjen e sipërmarrjes dhe inovacionit nëpërmjet iniciativave të ndryshme, të tilla si krijimi i inkubatorëve të startup-eve, përshpejtuesve dhe hapësirave të bashkëpunimit në qytetet kryesore si Tirana, Korça, Shkodra, etj. Këto iniciativa synojnë të krijojnë një atmosferë të favorshme për rritjen e startup-eve dhe kompanive inovatore. Disa prej kompanive startup kanë fituar tashmë vëmendje në sektorët e teknologjisë, e-commerce dhe fintech.

Strategjia Kombëtare e Zhvillimit të Sipërmarrjes Inovative e hartuar në bashkëpunim me Banken Europiane per Rindërtim dhe Zhvillim, përfaqëson vizionin për të rritur potencialin e sipërmarrjes dhe inovacionit në vendin tonë. Ministrja Ibrahimaj theksoi rëndësinë e zhvillimit të kësaj strategjia për bizneset shqiptare dhe rrugëtimin e tyre në tregjet ndërkombëtare.

“Miratuam nje strategji, e cila është e rëndësishme për të përmbyllur kuadrin e vizionit tonë për Shqipërinë 2030. Strategjia e Sipërmarrjes Inovative 2025-2030 parashikon një plan masash, të cilat u miratuan po ashtu në mbledhjen e sotme të Këshillit të Ministrave, për zhvillimin e Sipërmarrjes Inovative, duke mbështetur vizionin tone dhe për të pasur një ekonomi që mbështet rritjen e inovacionit dhe inovacioni mbështet rritjen ekonomike.

Strategjia do të zhvillohet në gjashtë sektorë të caktuar, sektorë të cilët janë të identifikuar si turizmi, energjia, bujqësia, ICT/BPO.
Janë këto sektorë që kanë më shumë nevojë për rritje të produktivitetit. Ne besojmë fort se në mbështetje të Startupeve do të ndikojmë në rritjen e produktivitetit, konkurrueshmërisë dhe në çeljen e tregjeve për bizneset shqiptare në rrugën tonë drejt anëtarësimit në BE”.

Kjo strategji synon rritje të produktivitetit për sektorët prioritarë në ekonomi duke perfshire zgjidhje ne ekonominë e gjelbert dhe dixhitale, duke rritur konkurrueshmërinë dhe duke çelur tregje të reja për bizneset shqiptare, krahas rrugëtimit të Shqipërisë 2030 në BE.