Ministër Shteti për Sipërmarrjen dhe Klimën e Biznesit

Ministrja Ibrahimaj: Banka Shqiptare e Zhvillimit, një motor i rëndësishëm për rritjen ekonomike dhe një partner i besueshëm për bizneset dhe investitorët

Tiranë, 17 mars 2025 – Ministrja e Shtetit për Sipërmarrjen dhe Klimën e Biznesit, Delina Ibrahimaj, ka deklaruar sot se krijimi i Bankës Shqiptare të Zhvillimit është një hap strategjik për të rritur aftësinë e Shqipërisë për të përthithur fondet e Bashkimit Europian dhe për të mbështetur rritjen ekonomike të vendit.

Jemi përpara një momenti historik në procesin e anëtarësimit tonë në Bashkimin Europian dhe, siç kam theksuar më parë, do të ketë fonde në dispozicion për Shqipërinë. Për t’i përthithur këto fonde, duhet të kemi institucione të afta të menaxhojnë dhe t’i drejtojnë ato në sektorët me nevojë dhe potencial zhvillimi,” u shpreh Ministrja Ibrahimaj.

Banka Shqiptare e Zhvillimit do të ketë si mision kryesor lehtësimin e qasjes në financë për sektorët e nënfinancuar, duke mbështetur zhvillimin e infrastrukturës, ndërmarrjet e vogla dhe të mesme, eksportet dhe projektet strategjike për zhvillimin ekonomik të vendit.

Strukturë e qëndrueshme dhe partneritete strategjike: Banka është projektuar për të siguruar qëndrueshmëri afatgjatë, me shtetin shqiptar që do të zotërojë minimalisht 51% të aksioneve të kapitalit, duke garantuar kontrollin publik. Institucionet financiare ndërkombëtare dhe vendase do të kenë gjithashtu mundësinë të kontribuojnë në kapital, duke forcuar kapacitetet financiare të Bankës.

Financimi do të mbështetet jo vetëm nga kapitali fillestar, por edhe nga bashkëpunime me banka kombëtare të zhvillimit, si Banka Europiane e Zhvillimit dhe institucionet financiare të vendeve anëtare të BE-së, si Franca, Italia dhe Gjermania. Një tjetër burim i rëndësishëm do të jenë produktet e kursimit të garantuara nga shteti dhe të mbledhura përmes Postës Shqiptare, si dhe burime të tjera alternative financimi.

Mbështetje për sektorët me potencial zhvillimi: Një nga funksionet kyçe të Bankës do të jetë plotësimi i boshllëqeve të tregut në sektorë strategjikë si bujqësia, teknologjia dhe energjitë e rinovueshme. Për këtë, Banka do të përdorë mekanizma të ndryshëm financiarë, duke përfshirë garancitë, kundër-garancitë dhe skema të tjera që do të ndihmojnë në uljen e kostove të financimit për bizneset dhe do të nxisin investimet private.

Transparencë dhe mbikëqyrje institucionale:
Për të siguruar një qeverisje të përgjegjshme dhe efikase, Banka Shqiptare e Zhvillimit do të raportojë vjetorisht pranë Këshillit të Ministrave dhe Komisionit Parlamentar për Ekonominë dhe Financat. Gjithashtu, Banka e Shqipërisë do të ketë një rol kyç në mbikëqyrjen e saj, duke garantuar besimin dhe sigurinë në tregjet financiare.

“Banka Shqiptare e Zhvillimit nuk do të jetë thjesht një instrument financiar, por një institucion i angazhuar për të mbështetur zhvillimin ekonomik dhe social të vendit, duke ndjekur standardet më të mira europiane,” përfundoi Ministrja Ibrahimaj.

Ky hap i rëndësishëm shënon një moment kyç në fuqizimin e infrastrukturës financiare të Shqipërisë dhe përgatitjen e vendit për sfidat dhe mundësitë e anëtarësimit në Bashkimin Europian.