Ministër Shteti për Sipërmarrjen dhe Klimën e Biznesit

Më 9 Qershor 2020, Republika e Shqipërisë doli ​​me sukses në tregjet ndërkombëtare me një obligacion ndërkombëtar të ri 7-vjeçar në vlerën prej 650 milion € me një kupon prej 3.50%. Qeveria synon të përdorë fondet e këtij emetimi për të mbuluar nevojat buxhetore për financim, duke përfshirë rimëkëmbjen ekonomike në vijim të dy goditjeve të njëpasnjëshme si tërmeti i Nëntorit 2019 dhe Covid 19.

Transaksioni shënon rikthimin e suksesshëm të Republikës së Shqipërisë në tregjet ndërkombëtare të kapitalit, duke pasuar emetimet e mëparshme të realizuara në 2010, 2015 dhe  2018.

Pavarësisht kushteve sfiduese të tregut për ekonomitë në zhvillim gjatë gjashtëmujorit të parë të vitit 2020, emetimi tërhoqi një ofertë shumë të lartë të investitorëve duke tejkaluar disa herë kërkesën e Qeverisë Shqiptare. Pjesëmarrja e më shumë se 190 investitorëve në transaksion ka përfshirë edhe disa investitorë që kanë qenë blerës të mëparshëm të obligacioneve të Republikës së Shqipërisë. Qeveria e Shqipërisë e sheh këtë rezultat si një shenjë e besimit të investitorëve në perspektivat dhe rrugën e zhvillimit të Shqipërisë.

Ky transaksion erdhi në vijim të një seri takimesh virtuale të suksesshme të autoriteteve shqiptare me investitorët, bashkë-udhëhequr nga Znj. Anila Denaj, Ministër i Financave dhe Ekonomisë dhe z. Arben Ahmetaj, Ministër i Shtetit për Rindërtim.

Banca IMI, Citi, JP Morgan dhe Raiffaisen Bank International vepruan si banka bashkëdrejtuese për transaksionin. Rothschild & Co veproi si këshilltar financiar dhe Dechert LLP veproi si këshilltar ligjor për Ministrinë e Financave dhe Ekonomisë së Republikës së Shqipërisë.

 

Karakteristikat e transaksionit:

  • Vlera: 650 milion Euro
  • Maturimi 16 Qershor 2027
  • Kuponi: 3.5%

 {:}