Ministër Shteti për Sipërmarrjen dhe Klimën e Biznesit

Paris, 11 Shkurt 2025 – Ministrja e Shtetit për Sipërmarrjen dhe Klimën e Biznesit, Delina Ibrahimaj, mori pjesë në Samitin e Inteligjencës Artificiale (AI) në Paris, një ngjarje e nivelit të lartë e bashkëkryesuar nga Presidenti i Francës, Emmanuel Macron, dhe Kryeministri i Indisë, Narendra Modi. Samiti mblodhi mbi 100 shtete, organizata ndërkombëtare dhe lider të industrisë së teknologjisë, si Google, Microsoft dhe OpenAI, për të diskutuar mbi të ardhmen e qeverisjes dhe zhvillimit të AI në nivel global.

Gjatë këtij samiti, Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, shpalli një iniciativë ambicioze për mobilizimin e 200 miliardë eurove në investime për AI, ku 50 miliardë euro do të jenë fonde të drejtpërdrejta nga BE-ja, ndërsa pjesa tjetër do të vijë nga sektori privat, përfshirë ofruesit e teknologjisë, investitorët dhe industrinë. Ky investim do të hapë mundësi të reja për bizneset dhe startup-et në sektorin e teknologjisë, duke nxitur inovacionin dhe integrimin në tregun europian të AI.

Shqipëria, pjesë e transformimit teknologjik

Pjesëmarrja e Shqipërisë në këtë samit rikonfirmon angazhimin e saj për të forcuar bashkëpunimin ndërkombëtar dhe për të përfituar nga këto investime strategjike. Ministrja Ibrahimaj theksoi se integrimi i AI në ekonominë shqiptare përfaqëson një mundësi të jashtëzakonshme për të rritur konkurrueshmërinë, për të krijuar vende të reja pune dhe për të pozicionuar Shqipërinë si një qendër inovacioni në rajon.

“Ne jemi të përkushtuar të mbështesim bizneset dhe startup-et shqiptare për të pasur akses në teknologjitë më të avancuara. AI nuk është thjesht një trend, por një transformim i domosdoshëm që do të ndikojë në të gjitha sektorët e ekonomisë sonë.” – deklaroi Ministrja Ibrahimaj.

Shqipëria synon të ndërtojë një ekosistem inovativ dhe të favorshëm për zhvillimin e AI, duke krijuar politika dhe mekanizma mbështetës për sipërmarrësit dhe bizneset që investojnë në këtë fushë. Përmes këtij angazhimi, vendi synon të përfitojë nga fondet dhe bashkëpunimet me BE-në dhe partnerët e tjerë strategjikë, duke u bërë një pjesë aktive e zhvillimeve më të fundit teknologjike në nivel global.