Samiti i grave sipërmarrëse / Shalsi: Fuqizimi i grave në shoqëri, faktor i rëndësishëm për zhvillimin ekonomik në vend - Ministër Shteti për Mbrojtjen e Sipërmarrjes
Postuar më : 16/01/2020

Samiti i grave sipërmarrëse / Shalsi: Fuqizimi i grave në shoqëri, faktor i rëndësishëm për zhvillimin ekonomik në vend

Ministri i Shtetit për Mbrojtjen e Sipërmarrjes, z. Eduard Shalsi mori pjesë në samitin “Takimi i Rrjetit të Grave Profesioniste të Diasporës” organizuar nga Fondi Shqiptar për Zhvillimin e Diasporës, në bashkëpunim me Ministrinë e Financave dhe Ekonomisë dhe nën kujdesin e veçantë të Ministrit të Shtetit për Diasporën ku morën pjesë gra të Diasporës shqiptare dhe vendase, të suksesshme në fushën e sipërmarrjes dhe biznesit.

 

 

“Po jetojmë një ‘momentum’ të grave shqiptare, duke patur parasysh që janë më shumë se gjysma e qeverisë, rreth 30% në Parlament, 50% në këshillat bashkiakë, si edhe rreth 50% në nivele menaxheriale. Ndërkohë, sfidë mbetet përfshirja akoma edhe më e madhe e grave në biznes dhe në fusha të tjera”,  u shpreh Ministri Shalsi.

Në fjalën e tij përshëndetëse, ministri Majko tha se ky aktivitet synon të jetë një platformë për fuqizimin e rolit të gruas shqiptare në shoqëri dhe në veçanti rritjen e angazhimit të saj në fushën e biznesit dhe sipërmarrjes, si dhe nxitjen për krijimin e një rrjeti bashkëpunimi mes grave protagoniste brenda dhe jashtë vendit.

 

 

“Takimi i sotëm është një pohim, jo vetëm ekonomik, por edhe për jetën sociale të shoqërisë sonë. Ai lidhet me faktin se gratë janë motori kryesor i ekonomisë shqiptare, si konsumatore, menaxhere dhe drejtuese. Organizimi i sotëm kërkon të nxisë trajtimin e cilësisë së sipërmarrjes së grave në Diasporë”, u shpreh ministri gjatë fjalës së tij.

Pjesëmarrëse në këtë takim ishte edhe znj. Anila Denaj, ministër i Financave dhe Ekonomisë, e cila në fjalën e saj solli një pasqyrë të përgjithshme të përfshirjes së gruas shqiptare në fushën e biznesit dhe politikat që qeveria shqiptare po zbaton në rritjen e përfaqësimit të gruas në ekonomi. Ajo u ndal dhe në një moment tjetër shumë të rëndësishëm siç është nënshkrimi i kontratës së kredisë që do të mundësojë kalimin e hendekut të barazisë gjinore në vendin tonë.

 

 

Në këtë Samit morën pjesë profesioniste të reja, studente, gra akademike dhe eksperte në fushën e biznesit, përfaqësues të institucioneve shtetërore, si dhe të organizatave ndërkombëtare, veçanërisht ato që në programet në zbatim, zhvillojnë objektiva lidhur me gratë dhe zhvillimin e tyre në fushën e biznesit dhe sipërmarrjes.